Politika e privatësisë
Versioni 2026-11. Shendora është një platformë për të gjetur profesionistë shëndetësorë të verifikuar në Shqipëri dhe për të rezervuar takime me ta. Kjo politikë shpjegon cilat të dhëna mbledhim, pse dhe cilat janë të drejtat e tua.
Kush është përgjegjës
Përgjegjës për përpunimin e të dhënave (kontrollues) është Shendora. Për çdo pyetje ose kërkesë për të dhënat e tua na shkruaj te shendora@proton.me.
Çfarë të dhënash mbledhim
- Llogaria: emri, mbiemri, email-i, telefoni (opsional), qyteti dhe një foto profili (opsionale).
- Takimet: profesionisti, shërbimi, data dhe ora, statusi dhe shënimi që shkruan ti kur rezervon.
- Të dhënat e shëndetit (opsionale): grupi i gjakut, alergjitë, sëmundjet kronike, mjekimet dhe kontakti i emergjencës, vetëm nëse i plotëson ti. I sheh vetëm ti: as profesionisti, as administrata.
- Mesazhet që shkëmben me profesionistët përmes aplikacionit.
- Vlerësimet që lë pas një vizite.
- Pajisja: një identifikues për njoftimet push dhe versioni i aplikacionit.
- Vendndodhja: vetëm kur shtyp «Afër meje». Përdoret në pajisjen tënde për kërkimin dhe nuk ruhet në serverët tanë.
- Për profesionistët: të dhënat e profilit publik, numri i licencës dhe dokumentet e verifikimit, që ruhen private.
Pse i përdorim
- Për të ofruar shërbimin: llogaria, takimet, mesazhet, vlerësimet dhe njoftimet janë të nevojshme për të përdorur platformën.
- Me pëlqimin tënd: të dhënat e shëndetit, njoftimet push dhe vendndodhja. Pëlqimin mund ta tërheqësh kur të duash nga aplikacioni.
- Për siguri dhe detyrime ligjore: parandalimi i abuzimit, moderimi i vlerësimeve, ruajtja e historikut të takimeve dhe përgjigjja ndaj kërkesave të autoriteteve.
Kush i sheh të dhënat e tua
- Profesionisti me të cilin ke takim sheh emrin, mbiemrin dhe telefonin tënd, vetëm për takimet me të. Nuk sheh të dhënat e shëndetit as takimet me profesionistë të tjerë.
- Vlerësimet shfaqen publikisht me pseudonim («Emri K.» ose «Pacient anonim»). Emri i plotë nuk shfaqet kurrë.
- Ofruesit teknikë: Supabase (bazë të dhënash dhe ruajtje skedarësh, serverë në Frankfurt, Bashkimi Evropian) dhe Apple (hyrja me Apple ID dhe dërgimi i njoftimeve push). Nuk shesim të dhëna dhe nuk ua japim reklamuesve.
Njoftimet
Teksti i njoftimeve nuk përmban kurrë specialitetin, shërbimin, arsyen e vizitës apo emra. Përmban vetëm ditën dhe orën e takimit ose faktin që ke një mesazh të ri.
Sa kohë i ruajmë
- Llogaria ruhet derisa të kërkosh fshirjen. Pas kërkesës ke 30 ditë për ta anuluar; më pas të dhënat personale anonimizohen.
- Takimet dhe vlerësimet mbeten të anonimizuara (pa emrin tënd) për integritetin e historikut të profesionistit.
- Mesazhet arkivohen dhe nuk fshihen, për mbrojtje në rast mosmarrëveshjeje; autori shfaqet si «Pacient i fshirë».
- Dokumentet e profesionistëve të refuzuar ruhen 12 muaj.
Të drejtat e tua
- Të shohësh dhe korrigjosh të dhënat e tua te Profili.
- Të marrësh një kopje të të dhënave te Privatësia → Eksporto të dhënat e mia.
- Të fshish llogarinë te Privatësia → Fshi llogarinë.
- Të tërheqësh pëlqimin për njoftimet ose të fshish të dhënat e shëndetit kur të duash.
- Të ankohesh te Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Për çdo kërkesë na shkruaj te shendora@proton.me; përgjigjemi brenda 30 ditëve.
Siguria
Të dhënat udhëtojnë të enkriptuara. Çdo rresht i bazës së të dhënave ka kontroll aksesi: një përdorues sheh vetëm të dhënat e veta dhe ato që i duhen për takimet e tij. Dokumentet e profesionistëve ruhen në një hapësirë private dhe çdo veprim administrativ regjistrohet.
Mosha
Shendora është për persona mbi 18 vjeç.
Ndryshimet
Versioni i politikës që ke pranuar ruhet me llogarinë tënde. Nëse ndryshon diçka e rëndësishme, do ta shohësh në aplikacion para se të vazhdosh.